Jetojmë në një kohë ku komunikohet masivisht përmes imazhit dhe si i tillë, ai duhet prezantuar në formën më të mirë të mundshme, për të transmetuar mesazhin e duhur. Ne nuk  e kemi në dorë pamjen tonë të jashtme, por kemi fatin të jetojmë në një kohë e cila na mundëson të ndihemi mirë me veten kur shikohemi në pasqyrë, kjo falë përsosjes së teknikave dhe metodave  që ka arritur mjekësia estetike dhe e kirurgjisë plastike. Madje, shumë defekte në trupin tonë, mund të korrigjohen pa pasur nevojë për përdorimin e bisturisë dhe pa dhimbje. E specializuar në kirurgjinë plastike faciale, në otorinolaringologji dhe mjekësi estetike, Dr. Silvana Vishaj, tregon për risitë në këtë fushë të mjekësisë. 

1. Përshëndetje! Ndryshe nga kirurgët e fushave të tjera (të cilët na trembin pak), fjala kirurg facial, tingëllon më këndshëm sepse lidhet me bukurinë dhe të ndjerit mirë me veten. Si është një ditë e juaja në jetën profesionale?
Tashmë dihet që imazhi në ditët e sotme luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm per t’u ndier mirë me veten, por për t’u ndier mire në rrethin social, në marrëdhëniet me partnerin, si dhe mbi të gjitha për të pasur një karrierë profesionale te suksesshme. Dihet qe imazhi është pjesa më e rëndësishme e marketingut për një vend të caktuar pune i cili duke u bashkuar me inteligjencën përbën një armë shumë të fuqishme drejt suksesit. Dita ime nis me pasionin e punës sime aq të bukur për te punuar mbi portretet njerëzore, duke i përmirësuar ndjeshëm imazhin e çdo pacienti. Sigurisht që është një ditë jo si e gjithë te tjerëve që mbart në vetvete emocione te padiskutueshme, të cilat t’i fal ky profesion i bukur. Të bësh njerëzit të bukur dhe t’u përmirësosh imazhin sigurisht qe edhe ditën tënde e ke bërë më të këndshme.
Shumë njerëz kanë frikë t’u nënshtrohen ndërhyrjeve për korrigjimin e defekteve sepse kanë frikë nga bisturia. Deri në ç’masë është zëvendësuar ajo nga mjete të tjera?
Sigurisht që  me bumin e madh që ka pësuar shkenca e kirurgjisë plastike dhe mjekësisë estetike, nje pjesë e mirë e ndërhyrjeve që dikur kryheshin nëpërmjet bisturisë, sot kryhen me metoda totalisht të padhimbshme dhe aspak invazive te cilat i ofrojnë pacientit një komoditet të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet këtyre metodave kaq të shpejta dhe të padhimbshme mund te arrihet rinimi dhe perfeksionimi i portretit. Favori tjetër i këtyre metodave është që nuk kërkojnë rikuperim, zgjat 30-45 minuta dhe pacienti mund të kthehet direkt në aktivitetin e tij të zakonshëm pa pasur nevojë për pushime. Këtu bëjnë pjesë korrigjimi i rrudhave nëpërmjet injeksioneve, zmadhimi dhe rimodelimi i buzëve, i mollëzave, rikonturimi i fytyrës dhe te gjitha trajtimet e rinimit të lëkurës.

3. Shumë femra po sfidojnë plakjen duke aplikuar botoxin. Në ç’moshë rekomandohet përdorimi i tij dhe a është e rëndësishme të kryhet vetëm nga mjeku specialist?
Botoxi tashmë është lëngu çudibërës i cili po eleminon diferencën e brezave. Injeksionet e botoxit arrijnë të rinojnë portretin  deri 10-15 vjet. Injeksionet e botoxit fillojnë  qe pas moshës 25 vjeçare (për ato raste që paraqesin shenjat e para të rrudhave që në këtë moshë) deri në moshën 65-vjeçare. Sigurisht, injeksionet e botoxit është e domosdoshme të bëhen nga duar ekspertesh,nga mjekë të kirurgjisë plastike dhe të dermatologjisë të cilët janë të specializuar për këtë procedurë.Është  e pafalshme që  këto injeksione të kryhen në qendra estetike ose parukerie nga njerëz totalisht jokompetentë te cilët nuk kanë asnjë lloj njohurie në fushën e mjeksisë.

4. A është e vërtetë që është rritur numri i meshkujve të cilët i drejtohen kirurgut facial për kryerjen e botox?
Tashmë nuk është më çudi që meshkujt në klinikat tona të kryejnë të njëjtat procedura po ashtu si edhe femrat madje mund të themi me siguri absolute që numri i meshkujve që i drejtohen kliniks tonë për të kryer ndërhyrje është i barabartë me numrin e femrave. Janë vërtet për t’u admiruar meshkujt që kanë filluar të kujdesen kaq shumë për imazhin e tyre.

5. Jetojmë në një kohë ku imazhi ka fuqi të madhe. Ju si mjeke a besoni se pamja e rregullt dhe e këndshme luan rol në suksesin, karrierën dhe jetën personale të një personi?
Sigurisht që besoj në mënyrë absolute që imazhi së bashku me inteligjencën janë një armë shumë e fuqishme drejt një suksesi të padiskutueshëm.

6. Cilat janë disa nga trendet dhe perspektivat e fundit që siguron kirurgjia plastike?
Trendet e sotme te kirurgjisë plastike janë ndërhyrjet joinvazive nëpërmjet të cilave në shumë pak kohë maksimumi një ore dhe pa dhimbje mund te realizosh procedura te përmirësimit të ndjeshëm të pamjes.

7. Klinika juaj a ofron riparim të defekteve si pasojë e ndërhyrjeve të mëparshme kirurgjikale të cilat kanë rezultuar të dështuara?
Patjetër që në kliniken tonë një pjesë e madhe e rasteve janë pacientë të cilët kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në vende të tjera dhe janë te pakënaqur me rezultatin e mëparshëm.Sigurisht që këto raste janë më të vështira sepse defektet e dikujt tjetër është një sfidë. por gjithsesi e arritshme me sukses. Duke ju falenderuar për këshillat e vlefshme dhe informacionet personale që ndatë me ne, ju urojmë suksese ju dhe stafit të Klinikës Euromedica! - Faleminderit dhe juve!